Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka theksuar se regjistrimi për të votuar nga diasporë mund të bëhet vetëm online, dhe jo në terren. Në një reagim të tij në rrjetet sociale, Celibashi ka sqaruar se regjistrimi realizohet ekskluzivisht përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), e cila mund të aksesohet përmes faqes zyrtare të KQZ ose aplikacionit zyrtar për telefonat smart.
Ai theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ofron asnjë ndihmë për regjistrimin në terren dhe nuk ka autorizuar askënd për të realizuar këtë proces. Celibashi u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë menjëherë çdo rast kur dikush paraqitet si përfaqësues i KQZ jashtë institucionit.
KQZ siguroi gjithashtu se procesi i regjistrimit është i mbrojtur dhe në përputhje me standardet e sigurisë të Bashkimit Europian.