KQZ miraton regjistrimin e tre koalicioneve për zgjedhjet e 11 majit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar regjistrimin e tre koalicioneve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 11 majit.

Një nga koalicionet e miratuara është “Nisma Shqipëria Bëhet”, i cili përbëhet nga Partia Nisma Thurje, Partia Shqipëria Bëhet dhe Partia “Lidhja për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptare”. Ky koalicion do të drejtohet nga Adriatik Lapaj, kryetar i partisë Shqipëria Bëhet.

Koalicioni i dytë i miratuar është “Djathtas për Zhvillim”, i përbërë nga partia “Djathtas 1912” dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar.

Ndërkohë, KQZ miratoi edhe regjistrimin e “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, një koalicion i përbërë nga 26 parti politike, i drejtuar nga Partia Demokratike e Sali Berishës.

Ky koalicion përfshin Partinë e Lirisë të Ilir Metajt, Partinë Republikane të Fatmir Mediut, Partinë Demokristiane të Nard Ndokës, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të Vangjel Dules, Partinë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës dhe shumë parti të tjera.