KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit të Tiranës, Petrit Hysa

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi shkarkimin e prokurorit të Tiranës Petrit Hysa. Vendimi u mor nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, Hysa filloi punën si hetues në Dibër dhe Mat gjatë viteve 1986-1991. Pas një periudhe larg, u rikthye në vitin 1997 si prokuror në Prokurorinë e Pogradecit. Në vitin 1999, ai u transferua në Tiranë ku mori detyrën e zëvendësdrejtuesit të Prokurorisë.

Që prej asaj kohe, deri në shkarkimin e tij më 24 maj 2023, Petrit Hysa ka ushtruar funksionin e prokurorit në kryeqytet, duke kontribuar në drejtësinë shqiptare për më shumë se dy dekada.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 664, datë 24.05.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Petrit Hysa. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm’, thuhet në njoftim.