“Kosovo je Srbia” – GJKKO kalon në SPAK dosjen e rusit që kërcënoi me bombë aeroportin e Rinasit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pavlefshme kërkesën për gjykim të Prokurorisë së Tiranës ndaj një shtetasi rus, i akuzuar për kërcënim me bombë në aeroportin e Rinasit, dhe ka vendosur ta kalojë çështjen për hetim në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të natyrës së veprës penale.

Bëhet fjalë për rusin Vladislav Urban, 44 vjeç, lindur në Moskë dhe banues në Selanik të Greqisë, i cili në shkurt të vitit 2023 dërgoi nga Greqia një mesazh kërcënues me email në dy adresa të zyrës së Menaxherit Operacional në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Në mesazh, Urban shkruante:

“Përshëndetje. Emri im është Vladislav Urban. Nëse po e lexoni këtë mesazh, atëherë ka një bombë në aeroportin tuaj. Ju duhet të kërkoni nga qeveria juaj që ta njohë Kosovën si serbe që të mos shpërthejë bomba. Dhe për të bërë si thashë, unë kam kapur dy shtetas shqiptarë dhe po i mbaj në shtëpinë time në Greqi. Keni 48 orë për të shpëtuar shumë jetë shqiptarësh.”

Kërcënimi i Urban përmbante edhe mesazhin politik “Kosovo je Srbia”, dhe pretendime për marrje peng të dy shtetasve shqiptarë. Por, pas verifikimeve në bashkëpunim me autoritetet greke, rezultoi se nuk kishte asnjë pengmarrje reale, ndërsa Urban jeton i vetëm dhe trajtohet për probleme të shëndetit mendor nga një psikiatër në Selanik.

Nga kontrolli në banesën e tij nuk u gjetën prova për ndonjë veprim të rrezikshëm, por hetimet zbuluan se ai kishte precedentë të mëparshëm për kërcënime me natyrë terroriste. Në vitin 2023, ai kishte dërguar emaile kërcënuese edhe në Aeroportin e Athinës dhe një spital grek, ku deklaronte: “Jam taleban dhe në emër të Allahut do të vras grekë.”

Sipas sistemit TIMS, Urban nuk ka pasur hyrje-dalje në Shqipëri, por për të është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, në mungesë.

Gjyqtarja e çështjes në GJKKO, Rudina Palloi, arsyetoi se vepra penale e “kanosjes për kryerjen e veprave me qëllim terroriste” i takon kompetencës ekskluzive të SPAK dhe se Prokuroria e Tiranës ka vepruar jashtë juridiksionit të saj. Si pasojë, gjykata konstatoi pavlefshmëri absolute të kërkesës për gjykim dhe e kaloi çështjen në SPAK për vijimin e mëtejshëm të hetimeve.