Kosovë-Serbi/ Raund i ri bisedimesh në Bruksel për dinarin
Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë takohen sot në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së në një raund të ri bisedimesh për zgjidhjen e situatës së krijuar për dinarin e Serbisë.
Kërkesa nga SHBA e BE
Mosthemelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe nga ana e Kosovës “nuk do të shihet si sinjal pozitiv se Kosova dëshiron të lëvizë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që tash është i lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së”, tha më parë dhe zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Sipas tij, “Kosova duhet ta zbatojë urgjentisht detyrimin e kamotshëm për formimin e Asociacionit dhe kjo kërkesë është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian në nivelin më të lartë”.
Kosova dhe Serbia qysh në vitin 2013 nënshkruan marrëveshjen ku Kosova zotohet se do ta formojë Asociaconin e Komunave me Shumicë Serbe, por, në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese konstatoi se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Kësisoj kjo çështje ka mbetur pezull, ndonëse, në marrëveshjen e vitit të shkuar për normalizimin që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut përfshihet edhe Asociacioni. Marrëveshja për normalizim Kosovë-Serbi, parasheh marrëdhënie të mira fqinjësore dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, ndërsa u kërkon palëve që të përmbushin të gjitha marrëveshjet e mëparshme. /DW