Kosovë/ Fëmijës 2-vjeçar i nxirret bateria e telekomandës nga stomaku
Një fëmijë 2-vjeçar në Gjilan ka shpëtuar falë një ndërhyrjeje mjekësore, pasi kishte gëlltitur një bateri të telekomandës.
Gastroenterologu Besnik Elezi, i cili kreu ndërhyrjen, ka ndarë lajmin dhe imazhe nga rasti në rrjetet sociale, duke treguar se si bateria ndodhej në stomakun e fëmijës dhe si u nxor me sukses.
Mjekët paralajmërojnë se gëlltitja e baterive është jashtëzakonisht e rrezikshme, pasi në kontakt me lëngjet e stomakut ato krijojnë qark të shkurtër dhe çlirojnë kimikate alkaline, të cilat mund të dëmtojnë rëndë indet e brendshme.
Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, fëmija tashmë është jashtë rrezikut.