Kosova pranohet si anëtare e Asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit, Mimi Kodheli, njëherazi kryetare e Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të NATO, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku u votua kërkesa e Kuvendit të Kosovës për pranimin si anëtar i Asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Në një njoftim për mediet, Kuvendi i Shqipërisë bëri të ditur se, kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme njëherazi kryetare e Delegacionit Parlamentar Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Mimi Kodheli, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila u zhvillua në Estoni, në datat 23-24 mars.

Pas diskutimeve të saj në Byronë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe me mbështetjen e kolegëve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, Komisioni i Përhershëm votoi pro kërkesës së Kuvendit të Kosovës për pranimin si anëtar i Asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

“Prej 24 marsit, Kosova është de facto anëtari më i ri i Asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Vendimi do të zyrtarizohet në Sesionin e Pranverës në maj, në Bullgari. Ky është një vendim historik dhe një avancim i madh i Kosovës drejt integrimeve euroatlantike”, njofton Kuvendi i Shqipërisë.