25 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
E vlerësuar nga ata që e përjetuan si ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore.’
Rusia synonte prurjen e mijëra përforcimeve nga ajri, mirëpo pas intervenimit nga Washingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore.
Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, ministria e Jashtme ruse e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj ‘një gabim.’ Dhe çdo gjë tjetër tashmë është histori. Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.
Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.
Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë.
Megjithatë, kjo ditë ende nuk është në kalendarin e festave zyrtare të shtetit si ditë e çlirimit. Sipas deklaratave, ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare po vazhdon të kushtëzohet nga Lista Serbe. Ndërkaq, një gjë të tillë e kritikon Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Sipas kësaj organizate, viteve të fundit këto festa po shënohen në mënyrë të plogësht nga institucionet e vendit, ndërsa partitë opozitare konsiderojnë se mungon vullneti politik që Dita e Çlirimit të futet në kalendarin e festave zyrtare.