Kosova feston 17 vjet pavarësi, urime nga SHBA: Krenarë për rrugëtimin tuaj si shtet sovran dhe demokratik

Kosova shënon sot 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, me një sërë aktivitetesh dhe urimesh nga liderë botërorë. Një prej mesazheve më të rëndësishme ka ardhur nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili ka theksuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për shtetësinë dhe zhvillimin demokratik të Kosovës.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju shpreh urimet e mia për 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës – një rast për të reflektuar mbi qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me krenari rrugëtimin tuaj për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë,” thuhet në mesazhin e Rubio-s.

Përvjetori e gjen Kosovën në një moment politik të rëndësishëm, pasi vendi është në pritje të formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit doli fituese, por pa siguruar shumicën për të qeverisur e vetme.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një tjetër mesazh urimi nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë dhe ka vënë në dukje qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.

Për të shënuar këtë përvjetor, gjatë ditës janë parashikuar mbledhja festive e Qeverisë, parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe aktivitete të tjera përkujtimore