Kosova ende pa kryetar Kuvendi! Dështon edhe tentativa e 42-të për konstituimin e parlamentit
Kriza institucionale në Kuvendin e Kosovës po thellohet, teksa edhe tentativa e 42-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka dështuar. Në seancën e fundit parlamentare, vetëm 39 deputetë votuan pro formimit të një komisioni për votim të fshehtë, duke mos e kaluar pragun e nevojshëm për të vazhduar me procesin e zgjedhjes.
Seanca, e cila ishte parashikuar të mbahej në orët e paradites, u shty për në mbrëmje për shkak të një alarmi të rremë për bombë në ndërtesën e Kuvendit. Kjo ishte hera e parë që një nga përpjekjet për konstituim zhvillohet në mbrëmje, ndryshe nga të gjitha seancat e mëparshme që janë mbajtur në mëngjes.
Gjatë zhvillimeve të tensionuara, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu fjalimet e deputeteve Ganimete Musliu (PDK) dhe Jehona Lushaku (LDK), të cilat kërkuan që votimi për kryetar Kuvendi të rikthehet në formën e hapur dhe jo të vijojë me metodën e fshehtë që po kundërshtohet nga opozita.
Pas përfundimit të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, deklaroi se votimi i fshehtë nuk bie ndesh me Kushtetutën, duke theksuar se kjo metodë nuk përbën ndryshim të rendit të ditës dhe se është brenda rregulloreve parlamentare.