Koreja e Jugut: Student sulmon stafin e shkollës me thikë, gjashtë të plagosur
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mëngjes në një shkollë në Cheongju, në Korenë e Jugut, ku një student sulmoi me thikë stafin shkollor, duke plagosur gjashtë persona përpara se të tentonte të kryente vetëvrasje.
Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi rreth orës 8:41 të mëngjesit me orën lokale, brenda një klase, ku një nxënës me “nevoja të veçanta”, i regjistruar në vitin e dytë dhe duke ndjekur një program të rregullt mësimor, goditi me thikë disa anëtarë të stafit.
Departamenti i Zjarrfikësve të Chungbuk raportoi se drejtori i shkollës, një zyrtar administrativ dhe një punonjës i objektit pësuan plagë në gjoks, bark dhe shpinë dhe u transportuan me urgjencë në spital. Përveç tyre, edhe persona të tjerë, përfshirë autorin e sulmit, pësuan lëndime më të lehta dhe u dërguan në qendra shëndetësore për trajtim.
Pas sulmit, studenti u përpoq të kryente vetëvrasje duke u hedhur në një rezervuar pranë shkollës, por ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të emergjencës parandaloi një tragjedi të mëtejshme.
Të gjithë të plagosurit raportohen të jenë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tronditëse.