Korçë/ Tentativë për trafikim drejt Greqisë, kapen 32.3 kg kanabis. Një person shpallet në kërkim

Një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike drejt shtetit fqinj është parandaluar nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë.

Gjatë operacionit u sekuestruan 32.3 kilogramë kanabis, ndërsa një shtetas është shpallur në kërkim dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Njoftimi i Policisë:

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e DVKM dhe patrullat e Policisë Kufitare që patrullonin në vijën kufitare me Greqinë, në zonën midis piramidave 43 dhe 44, mbi fshatrat Vidohovë dhe Ponçarë, konstatuan në largësi dy shtetas që transportonin dy çanta të dyshuara.

Menjëherë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tyre dhe kanë njoftuar edhe autoritetet greke. Dy shtetasit, sapo kanë parë policinë, kanë braktisur çantat dhe janë larguar në drejtim të thellësisë së kufirit. Nga këqyrja e çantave, grupi hetimor konstatoi 20 pako të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike, me një peshë totale prej 32.3 kilogramësh kanabis.

Falë veprimeve hetimore, është bërë i mundur identifikimi i njërit prej shtetasve të përfshirë në këtë tentativë për trafikim të narkotikëve, i cili është shpallur në kërkim. Për arsye hetimi, gjeneralitetet e tij nuk bëhen të ditura.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër si dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.