Korçë/ Plagoset me thikë pranë katedrales, 40-vjeçari në gjendje të rëndë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 20:15 në afërsi të katedrales së Korçës, ku shtetasi Ergyst Shtylla, 40 vjeç, është plagosur rëndë me thikë nga një person ende i paidentifikuar.

Shtylla u transportua me urgjencë në spitalin e Korçës, ku ndodhet në sallën e reanimacionit dhe po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas të dhënave paraprake, 40-vjeçari është goditur tri herë me mjet prerës.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe është vënë në ndjekje të autorit të dyshuar. Deri tani, dy persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje lidhur me incidentin që ndodhi në bulevardin “Republika”.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të plagosjes. Gjendja shëndetësore e Shtyllës mbetet e rëndë, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht.