Korçë/ Iu gjetën në makinë dhe banesë steka me cigare pa pullë fiskale, arrestohet shtetasi grek

Korçë/Si rezultat i zbatimit të masave të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, goditet një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë. Iu gjetën në automjet dhe në banesë, 160 steka me cigare, pa pullë fiskale, të cilat dyshohet se i ka kontrabanduar nga Greqia, arrestohet në flagrancë 46-vjeçari (shtetas grek), Vasileios Trasias.

Sekuestrohen stekat me cigare, një shumë parash, automjeti dhe 2 celularë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kondrabandës së mallrave, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjnca policore, kanë goditur një rast të veprimtarisë kriminale në këtë fushë.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi grek Vasileios Trasias 46 vjeç banues në Greqi, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Në hyrje të qytetit të Devollit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin Vasileios Trasias  në të cilin gjatë kontrollit kanë gjetur dhjetëra paketa me cigare, pa pullë fiskale. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, në fshatin Çiflig, shërbimet e Policisë gjetën paketa të tjera me cigare, pa faturat përkatëse.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 160 steka me cigare të llojeve të ndryshme, 1038 euro, 2 celularë dhe automjeti i 46-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.