Korça vishet me ngjyra dhe magji! Karnavalet shoqërohen me parada, kostume unike dhe grupe nga rajoni
Karnavalet e Korçës janë tashmë të njohura jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufijve të saj.
Blerta Belliu, drejtoresha e Qendrës Kulturore në Korçë, ka bërë me dije se këtë vit pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve do të jenë shumë grupe nga vende të ndryshme të rajonit, duke sjellë një atmosferë festive në qytet.
Blerta Belliu:
“Prej 17 vitesh Korça përpiqet që çdo vit karnavalet të bëhen më të mëdha, me më shumë njerëz që veshin kostume, sepse ky është një event i rëndësishëm turistik. Shpresojmë të tërheqim vëmendjen e turistëve. Ka një staf të madh që ka punuar këtë vit. Korça do të ketë rreth 23 grupe që do performojnë. Do të zhvillohet parada klasike, e cila kulmon në orën 20:00 me DJ. Do të kemi rreth 5 grupe të huaja nga Polonia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Do të jetë një festë e jashtëzakonshme.”
Aktorja e teatrit të Korçës, Ilda Pepi, është angazhuar në përgatitjen e kostumeve që do të vishen nga aktorët. Ajo tregon se në dizenjimin e tyre ka sjellë elementë nga arkiva familjare.
Ilda Pepi:
“Kam vendosur të eksperimentoj dhe çdo ndjesi të shpirtit tim ta sjell në kostum karnavalesh. Kam krijuar një veshje plot me arusha. Sjellim kostume veneciane, por nuk duhet harruar se pjesa më e madhe që pret karnavalet janë fëmijët. Një nga kostumet ka një maskë kundragazi, e vetmja që ndodhej në shtëpinë time që prej vitit 1997. Vendosa ta kthej në një maskë të bukur karnavalesh.”
Në një tjetër deklaratë, Pepi shton:
“Këtë vit kam kërkuar ndihmën e vëllait tim për maskat. Veshjet do t’i veshin aktorët.”
Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve do të zhvillohet të shtunën pasdite dhe, sipas organizatorëve, ky aktivitet çel sezonin turistik për Bashkinë e Korçës.