Korça, sërish më e kërkuara nga turistët e huaj këtë vit – Fluks në rritje në Devoll e Pogradec, gati edhe qendra verore shëndetësore

Prefekti i qarkut të Korçës ka bërë me dije se gjatë këtyre muajve ka patur 5% më shumë turistë të huaj se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndërsa pritet që marrëveshja e firmosur mes presidentit Macron dhe kryeministrit Rama për masterplanin turistik të japë një hov zhvillimi më tej juglindjes.

Nertil Jole:

“Tendenca është rritëse. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se numri i turistëve të huaj që kanë hyrë në territorin tonë është më i lartë. Është e rëndësishme që bashkitë të koordinojnë politika të ndërlidhura që efekti i mikpritjes të jetë më i madh. Një marrëveshje e rëndësishme me Zhvillimin Francez, ku për qarkun tonë është hartuar një masterplan për investimet, synon të maksimizojë fluksin turistik.”

Fshatrat e Devollit të Sipërm si dhe Prespa e Vogël, sipas përgjegjëses së turizmit në bashkinë e Devollit, edhe këtë vit janë të kërkuara nga turistët e huaj.

Alda Ago:

“Devolli i Sipërm është më i kërkuari, Arrza, Sinica, Dobërgora e famshme me vendin e shenjtë, por nuk lëmë dot pas Prespën. Ka filluar kayak-u, vëzhgimi i zogjve, kemi turistë që vijnë herë pas here sepse aty ka larmishmëri zogjsh.”

Shërbimi shëndetësor në Pogradec do të jetë 24 orë në dispozicion të pushuesve për gjatë gjithë vijës liqenore.

Elona Katiraj, Drejtore e DSHP Pogradec:

“Do të hapet qendra verore për gjatë bregut të liqenit nga data 1 Qershor deri më 30 Shtator, ku do të shërbejnë dy mjekë e një infermiere. Janë bërë gati vendet dhe medikamentet. Ndër vite është vënë re se ka patur fluks të shtuar në Pogradec. Është 24 orë në 7 ditë të javës, bashkë me ta një staf nga promocioni që do i shoqërojë për matjen e tensionit arterial dhe sheqerit në gjak.”

Vitin e kaluar, 85% e vizitorëve që kanë vizituar juglindjen kanë qenë turistë të huaj – një përqindje që pritet të jetë edhe më e lartë këtë vit.