Korça përgatitet për “boom” turistësh

Këtë sezon, ndryshe nga viti i kaluar, pritet të ketë 10 për qind më shumë rezervime turistësh të huaj në Korçë.

Rezervime, të cilat kanë filluar që vitin e kaluar, bëjnë me dije operatorët turistikë.

Kristiano Koçibelli, administrator i një hoteli në qytetin e Korçës, tha se për vitin 2025 rezervimet me turistë të huaj kanë filluar këtë muaj dhe mbyllen në janarin e vitit të ardhshëm.
Edhe këtë vit, krahas turistëve europianë, kanë rezervuar edhe aziatikët, të cilët gjatë vitit 2024 kanë ardhur të organizuar për herë të parë në juglindje.

Eriketa Koçollari, menaxhere në një hotel në juglindje të vendit, tha se këtë vit inteligjenca artificiale i ka ndihmuar të kontrollojnë disponibilitetin në kohë reale dhe të koordinojnë rezervimet nga platforma të ndryshme pa gabime apo vonesa.

“Kjo teknologji ka sjellë një ndryshim të madh, duke optimizuar punën dhe duke ofruar një përvojë më të mirë për turistët e huaj”, u shpreh ajo.

Një vit më parë, 85 për qind e turistëve që kanë vizituar Korçën kanë qenë të huaj. E gjithë kjo falë kontratave që operatorët turistikë kanë me agjenci të huaja.