Korça mirëpret poetët nga mbarë bota në edicionin e 29-të të “Netëve Korçare të Poezisë”
Korça është kthyer sërish në kryeqendrën e poezisë, teksa mbrëmjen e djeshme u çel nata e parë e edicionit të radhës të “Netëve Korçare të Poezisë”, një ngjarje kulturore që mbledh poetë dhe dashamirës të artit nga e gjithë bota.
Në këtë takim poetik marrin pjesë 34 autorë nga Italia, Franca, Izraeli, Monako, Greqia, Kosova dhe Shqipëria. Ata sollën me vete jo vetëm vargje të frymëzuara, por edhe tingujt, emocionet dhe kulturën e vendeve të tyre.
Mbrëmja u çel me një homazh të ndjerë për poetin korçar Skënder Rusi, ndërsa i biri, Eris Rusi, tha se “poetët janë të vdekshëm, por puna e tyre letrare jeton përherë”.
Eris Rusi, poet: Korça është poezi dhe emri i poetit Skënder Rusi lidhet me atë pasion. Ka 29 vite që poetët vijnë në qytetin e Korçës për të qenë pjesë e atij vibrimi të çuditshëm. Netët u çelën me vargjet e tij. Poetët kanë jetë tokësore, por jeta letrare e tyre i bën të përjetshëm.
Pjesëmarrësit e këtij edicioni vlerësuan rëndësinë që kanë këto netë poetike për promovimin e krijimtarisë dhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes autorëve vendas dhe të huaj.
Valbona Lola: Kanë marrë pjesë autorë nga e gjithë bota. Korça mirëpret poetët që sjellin ndjenjat e tyre nëpërmjet poezisë. Është nder e kënaqësi që poetët korçarë të marrin pjesë. Është mënyrë shumë e mirë për të krijuar ura bashkëpunimi me gjithë vendet e tjera.
Arjan Kallco: Kemi pasur në shumë vende takime poetike në vende të Ballkanit apo Itali. Kultura ka nevojë për ura lidhëse, e këto ura i sjellin poetët, i sjell arti dhe kultura.
Stefania Romito: Nuk është hera e parë në Shqipëri, është hera e katërt. E dua Shqipërinë. Është privilegj të jesh në natën poetike. Dua të falënderoj poetët dhe miqtë e mi që kanë përkthyer librat e mi nga italishtja në shqip.
Ky është viti i 29 që netët poetike organizohen, një nga eventet më të vjetra dhe më të rëndësishme për qytetin e Korçës.