Koordinatori i SHBA për anti-korrupsionin global: Do të vazhdojmë të mbështesim institucionet e drejtësisë, po forcojnë demokracinë në Shqipëri

Koordinatori i SHBA-ve për Anti-Korrupsionin Global, Richard Nephew, ka shprehur mbështetjen për SPAK dhe institucionet e drejtësisë në vend. Gjatë një vizite të zhvilluar në Tiranë, Nephew pa sot në veprim institucionet gjyqësore shqiptare gjatë takimeve me kreun e SPAK, Altin Dumani, prokurorët e SPAK, si dhe përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.

Nephew dhe zyrtarët shqiptarë diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Ai ka pohuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e drejtësisë që po forcojnë demokracinë e Shqipërisë teksa ajo përparon në rrugën e saj drejt BE-së.