Një aksion i madh është zhvilluar sot në Shkodër nga forcat RENEA dhe SPAK, në kuadër të hetimeve për masakrën e ndodhur vitin e kaluar në Dobraç. Operacioni përfshiu kontrolle në disa zona të qytetit, përfshirë edhe banesat dhe bazat e grupit kriminal Bajri.
Një prej personave që pritej të shoqërohej ishte Safet Bajri, por ai nuk u gjet nga autoritetet. Ndërkohë, gjykata e posaçme ka urdhëruar arrestimin e katër personave të dyshuar për përplasjen me armë në Bushat më 23 gusht 2024. Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët u vetëdorëzuan disa javë më parë, janë njohur me akuzat e reja për krijimin e kushteve për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se më 23 gusht 2024, në fshatin Rranxa të Bushatit, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani janë përplasur me armë me Andrea dhe Aleksandër Prendi. Në ngjarje ishte i pranishëm edhe Safet Bajri, i cili udhëtonte me një automjet të blinduar. Ekspertiza ka zbuluar se Samuel Troshani ka bërë qitje me armë atë ditë, pasi në dorën e tij janë gjetur gjurmë baruti.
Ndërkohë, grupi i Izmir Sakicës, Asmer Bilali dhe disa pjesëtarë të grupit Bajri janë nën hetim edhe për masakrën e 30 tetorit 2024 në Dobraç. Në atë ngjarje u ekzekutuan me armë zjarri Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndërsa bashkëshortët Flutura dhe Bashkim Basha humbën jetën në aksident, pasi makina e viktimave doli nga rruga dhe i përplasi teksa udhëtonin me motor.
Operacioni për arrestimin e personave të shpallur në kërkim vazhdon, ndërsa hetimet për ngjarjet e rënda në Shkodër janë në zhvillim.