Kontrolle intensive për sigurinë në rrugë! Arrestohen drejtues, bllokohen 42 automjete
Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar ndjeshëm prezencën në terren gjatë ditëve të fundit, me qëllim parandalimin e aksidenteve, ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit dhe menaxhimin më efikas të trafikut në kryeqytet.
Në kuadër të një plani të zgjeruar veprimi, janë angazhuar patrulla të shtuara dhe mjete bashkëkohore në të gjitha akset hyrëse dhe dalëse të Tiranës. Masat janë ndërmarrë si përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje për sjelljet e rrezikshme në rrugë dhe shkeljet që cenojnë qetësinë publike dhe sigurinë e qytetarëve.
NJOFTIMI I PLOTE:
Bilanci i javës së fundit:
35 drejtues mjetesh janë arrestuar ose proceduar penalisht për shkelje të rënda të Kodit Rrugor;
42 automjete janë bllokuar për shkak të mungesës së dokumentacionit, modifikimeve të paligjshme, apo mosrespektimit të normave të sigurisë.
Fokuset kryesore të kontrolleve kanë qenë:
Parandalimi i zhurmave shqetësuese të shkaktuara nga marmitat e modifikuara, që dëmtojnë qetësinë publike;
Lirimi i hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga automjete apo biznese, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT);
Rritja e sigurisë për drejtuesit e motomjeteve, duke kërkuar përdorimin e detyrueshëm të kaskave mbrojtëse dhe jelekëve fosforeshentë;
Ndëshkimi i drejtuesve që drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit;
Sanksionimi për mosrespektim të sinjalistikës rrugore dhe parakalime të rrezikshme.
Policia Rrugore ka theksuar se kontrollet do të vijojnë pandërprerë, në çdo orë të ditës dhe natës, dhe në të gjitha segmentet rrugore të Tiranës, për të garantuar rendin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve.