Kontroll i befasishëm në “burgun e VIP-ave” në Durrës, sekuestrohen disa telefona
Pas shpërthimit me tritol mbrëmjen e 28 majit në ambientet e jashtme të burgut të Fushë-Krujës, institucionet e vuajtjes së dënimit në gjithë vendin janë futur në gatishmëri të lartë.
Si pjesë e këtij reagimi, u zhvillua një kontroll i befasishëm në paraburgimin e Durrësit, ku u sekuestruan 10 aparate celulare të dyshuara për përdorim të paligjshëm nga të paraburgosurit.
Dy celularë u gjetën në dy qeli të ndryshme, ndërsa 8 të tjerë u kapën gjatë tentativës për t’u futur në ambientet e brendshme të burgut.
Gjithashtu, po hetohen disa punonjës për përfshirjen e tyre në futjen e celularëve brenda institucionit.
Paraburgimi i Durrësit, i ndërtuar pas vitit 2007, konsiderohet institucioni më modern dhe me kushtet më të mira në Shqipëri, duke strehuar rreth 300 të paraburgosur, përfshirë edhe personazhe VIP. Ky institucion ofron kushte unike si ambientet për falje, bibliotekë dhe palestër, duke u konsideruar si “shtëpia” e shumë politikanëve dhe zyrtarëve të lartë që vuajnë dënimet e tyre.
Mes të paraburgosurve aktualë në Durrës janë emra të njohur si ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, ish-kryetari i Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe, ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, ish-kryetarë të bashkive të tjera si Bulqiza, Himara dhe Fushë Arrësi, si dhe ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-drejtori i forcave Operacionale, Oltion Bustri.