Kontrabandë solari që përdoret për djegie, “Kurum”, linja e trafikut të mbetjeve të rrezikshme

Shoqëria koncesionare “KURUM”, e cila operon në ish-Kombinatin Metalurgjik në Elbasan kryen kontrabandë solari.

Një kamion me dy depozita plastike të vendosura në karroceri, kryen transportin e solarit për llogari të firmës turke. Skandal i ri që prek këtë shoqëri, pas atyre të mbetjeve toksike, të cilët eksportohen drejt vendeve të tjera, mbetje të cilat u kapën në Singapor dhe erdhën në Shqipëri disa ditë më parë, ku u vendosën në zonën e Porto-Romanos me urdhër të Prokurorisë së Durrësit. Madje, kjo lëndë përdoret gjatë natës për të prodhuar hekur, pa u vendosur asnjë filtër, duke sjellë ndotje masive të të gjithë qytetin e Elbasanit.

Shtëllungat e tymit, mëngjes për mëngjes, konfirmojnë se “KURUM” nuk përdor asnjë filtër, por një lëndë të rëndë djegie, të cilën e merr në mënyrë kontrabandë nga një firmë që operon edhe ajo në brendësi të ish-Metalurgjikut.  Sasia totale e këtyre mbetjeve është prodhuara për më shumë se një dekadë nga “Kurum” dhe destinacioni i tyre mbetet i panjohur, por vetëm për një periudhë 3-mujore, kompania raportonte se kishte akumuluar 2500 ton pluhura, të cilat deklarohen ndryshe edhe si oksid zinku.

Sipas verifikimeve të kryera nga Policia e Durrësit, të referuara më pas në Prokurori, një sasi prej 2800 ton mbetje të prodhuara nga “Kurum” dyshohet se i janë shitur kompanisë “Sokolaj” sh.p.k në tetor dhe nëntor të vitit 2023. Gjovana Sokolaj dëshmoi në Prokurori se produkti me të cilin janë mbushur 102 kontejnerët, që ajo e konsideron si oksid hekuri, është blerë nga kompania “Kurum” për një vlerë totale prej 41 mijë dollarësh. Më pas, Sokolaj ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024.

Por rreth një muaj më pas, Gjovana Sokolaj dëshmon se mori një njoftim shqetësues nga kompania e kontenjerëve. Ajo ka deklaruar se në njoftim e informonin se, 102 kontejnerët që kompania e saj kishte nisur do të ktheheshin në portin e Durrësit, sepse porti i Singaporit nuk pranonte të bënte shkarkimin. Sipas saj ata kishin dyshime se kontejnerët ishin mbushur me lëndë toksike. Në deklarimet që ka dhënë në Prokurori, Sokolaj pretendon se ka kthyer përgjigje me e-mail, duke u konfirmuar se materiali që ndodhet në kontejnerë është oksid hekuri, janë bërë analizat nga Sokolaj sh.p.k dhe Kurum sh.a dhe nuk rezulton që aty të ketë mbetje toksike.

Më 27 gusht, pasi e kishin lajmëruar më parë kompaninë turke “Kurum” se do të shkonin për inspektim, ekspertët e Inspktoratit Shtetëror të Punës zbarkuan në mjediset e saj. Ata qëndruan për afro 3 orë duke kryer verifikimet e nevojshme në zyrat e kompanisë duke marrë dokumente për të verifikuar shkaqet e largimit nga puna të afro 500 punonjësve, të cilët kompania turke thotë se po i shkarkon pas vështirësive ekonomike që ka hasur.

Në përfundim të inspektimit, drejtuesi i inspektoratit Elbasan nuk ndau asnjë informacion lidhur më çfarë kishin mundur të shihnin dhe dokumentonin në tre orë qëndrimi brenda kompanisë që akuzohet se ka eksportuar mallra të rrezikshme drejt Tajlandës. Konkluzione e inspektimit njoftoi se do të bëhen publike në ditët në vijim. Në të njëjtin ditë pranë “Kurum” ishin edhe ekspertë të Inspektoratit të Mjedisit, të cilët mësohet se morën mostra që do të analizohen në laboratorët përkatës. Ndërkohë dy uzinat e kompanisë turke ajo e prodhimit të çelikut dhe e petëzimit vijojë te jenë të mbyllura.

Brenda zyrave mësohet se ndodhen vetëm punonjësit e departamentit të shitjeve dhe jashtë tyre rojet e sigurisë, ndërsa qindra punonjës të tjerë janë hedhur në rrugë me pretendimin se kompania nuk po ia del dot ekonomikisht. Ky vendim për mbyllje uzinash e shkarkim punonjësish vjen pas zbulimit të skandalit se “Kurum” përmes një kompanie tjetër ka eksportuar drejt Tajlandës rreth 800 ton mbetje që dyshohet se janë të rrezikshme.

Largimin e 500 punonjësve, “Kurum” e justifikon me faktin e rritjes së kostove dhe vështirësive ekonomike. Por shifrat e dorëzuara në institucionet shtetërore tregojnë të kundërtën e asaj që pretendon kompania. Nga të dhënat konfirmohet se “Kurum” është një ndër kompanitë që ka rezultuar me fitimet më të larta në dy vitet e fundit. Sipas bilancit, “Kurum” realizoi një fitim prej 78 milionë eurosh në vitin 2022. Ndërkohë që gjatë vitit të kaluar fitimi neto ishte 44,6 milionë euro,  shifër kjo edhe pse pak më e ulët vlerësohet një fitim i konsiderueshëm. Këto fitime lidhen me nivelin e lartë të inflacionit dhe kërkesën e lartë për metalet. Por ky nuk është i vetmi burim fitimesh për “Kurum” pasi zotëron gjithashtu edhe 4 hidrocentrale, nga të cilat siguron energji për aktivitetin dhe shet tepricën.

Ndërkohë që kërkesat në vend për hekur mbeten të larta në sektorin e ndërtimit. Ky argument është dhënë edhe nga deputeti Erion Braçe. Në një postim të radhës  deputeti socialist thekson se është e pamundur që kompania të jetë në vështirësi financiare në kushtet kur kërkesa për produktet që uzina prodhon është në maksimum prej vitesh.

“Kurum” pretendon nga ana tjetër se me shkurtimin e rreth 500 punonjësve do të ulë shpenzimet. Por me një përllogaritje të thjeshtë rezulton se fondi i pagave është minimal në krahasim me fitimet e deklaruara zyrtarisht të cilat sipas bilancit në vitin 2023 janë 44.6 milionë euro. Paga mesatare e punonjësve është rreth 1 mijë dollarë në muaj. Ndërkohë për 500 punonjës kjo kompani shpenzon 500 mijë dollarë në muaj ose 6 milionë dollarë në vit dhe e konvertuar në euro 5.4 milionë euro. Ky është një fond shumë minimal krahasuar me fitimet dyshifrore të deklaruara të kompanisë. Ndërsa nga të dhënat konfirmohet se i gjithë fondi i pagave të grupit ishte më pak se 9 milionë euro.

Kompania “Kurum” ka pasur kohë të arta të aktivitetit të saj me fitime marramendëse  si rezultat i përfitimeve të aseteve shtetërore nga demokratët. Aktualisht ka mbyllur aktivitetin dhe rrezikon që të lerë të papunë rreth 500 punonjës por në periudhën 2005-2013 kjo kompani ka qenë e favorizuar në shumë aspekte. Kompania turke “Kurum”, fitoi në 2011-ën një koncesion 35-vjeçar për menaxhimin e terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit. Një kontratë kjo që u prish më pas nga qeveria socialiste, e cila urdhëroi anulimin e koncesionit duke hapur çështje gjyqësore për shkak të mospërmbushjes së kushteve kontraktuale nga kompania. Shqipëria fitoi gjyqin e arbitrazhit me kompaninë turke “Kurum” për mbylljen e kontratës koncesionare të terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrës. Gjykata për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve në Uashington, ICSID, ka rrëzuar pretendimin 100 milionë euro që kompania turke kishte ndaj qeverisë shqiptare, dëm që sipas saj i ishte shkaktuar nga mbyllja e njëanshme e koncesionit për terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit.

Po ashtu një tjetër koncesion iu dha kompanisë turke “Kurum”. Më 22 korrik të vitit 2013. Qeveria i dha me koncension me kontratën e tipit “Rehabilitim, Operim dhe Transferim”, kompanisë Kurum International SH.A. rafinerinë e Cërrikut. Premtoi se do të investonte 48 milionë euro duke ndikuar edhe në punësim në këtë zonë por e shkriu për skrap që në muajin e parë.

Në të njëjtën periudhë përfitoi ndër të tjera edhe asete të rëndësishme energjetike shtetërore. Ekspertët në atë kohë e kritikuan ashpër shitjen e katër hidrocentraleve rentabël me çmime të ulëta. Hidrocentralet Bistrica 1 dhe Bistrica 2 u shitën për 52 milionë euro. Ndërsa Ulza e Shkopeti u shitën për 57.5 milionë euro.

Vijon …