Mblidhet për herë të parë Komisioni Antikorrupsion, opozita bojkoton mbledhjen


Sot konstituohet Komisioni Antikorrupsion, ndërsa opozita ka bojkotuar mbledhjen.

“Ky komision ka një mision të rëndësishëm kombëtar, ky mision është i lidhur me përgjegjësitë që Kuvendi ka ngarkuar për të kontribuar në kurorëzimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian nëpërmjet mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Jam këtu për tju garantuar se komisioni do të ketë mbështetjen e kuvendit. Komisioni nuk ka asnjë ngarkesë politike në këtë ngarkim duke qenë se ky komision ka gjithëpërfshirje, shpreh keqardhje që kolegët e opozitës nuk janë prezente”, tha Nikolla.

Grupi parlamentar i PD, dy javë më parë e bojkotoi votimin e  ngritjes të këtij komisioni me një mandat 10 mujor, ku në përbërje janë 6 deputetë socialistë dhe 5 nga opozita.

Ky komision do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj me anëtarët socialistë Klotida Bushka, Eduard Shalsi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi dhe Toni Gogu.

Ndërkohë që opozita e bojkoti votimin e ngritjes të këtij komisioni shumica socialiste caktoi të jenë anëtarë Jorida Tabaku, Dhurata Tyli Çupi, Sorina Koti, Flutura Açka dhe një vend bosh për nënkryetarin e komisionit.

Burime nga grupi parlamentar i PD i thanë Top Channel se tashmë do të jetë Sali Berisha ai që do të vendosë në mënyrë përfundimtare për pjesëmarrjen në këtë komision.