Konflikti për përdorimin e stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër/ KF Vllaznia kundër organizimit të koncerteve në ambient sportiv
Në një deklaratë për shtyp, presidenti i Klubit të Futbollit Vllaznia, Alban Xhaferi, shprehu shqetësimin për përdorimin e stadiumit “Loro Boriçi” për aktivitete jashtë destinacionit sportiv, duke u ndalur konkretisht te organizimi i koncertit të Mjeshtrit të Madh Bujar Qamili.
Ai theksoi se instalimi i dekoracioneve për këtë koncert në sallën e konferencave të shtypit u bë pa njoftim paraprak dhe pa autorizim ligjor nga Bashkia Shkodër, çka sipas tij përbën shkelje të ligjit dhe cënim të destinacionit sportiv të stadiumit.
KF Vllaznia ka depozituar kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve të Bashkisë Shkodër, Drejtorit të Kulturës Pandi Laço dhe Drejtoreshës së Kulturës Sara Smaja, për “shpërdorim detyre” dhe thyerje të etikës së zyrtarit publik. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore, stadiumi është pronë publike me destinacion specifik për sport dhe çdo ndryshim i këtij destinacioni duhet miratuar nga Këshilli Bashkiak.
Nga ana e tij, Drejtori i Sportit në Bashkinë Shkodër, Auron Miloti, përgënjeshtroi pretendimet e klubit, duke theksuar se organizimi i koncertit është bërë me kohë dhe në periudhë pa ndeshje futbolli, pa rrezikuar fushën dhe kalendarin sportiv. Miloti theksoi gjithashtu se Bujar Qamili është një figurë e lidhur fort me Shkodrën dhe Vllazninë dhe se ky koncert është një nderim për artin dhe qytetin.