Konflikti me armë në Laç/ Një viktimë dhe katër të plagosur, ja si është gjendja e tyre! Amarildo Ndoj në reanimacion

Konflikti i armatosur i ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Laçit ka sjellë pasoja të rënda, me një viktimë dhe katër të plagosur.

Gerald Bitri, 24 vjeç, ndërroi jetë mëngjesin e së dielës në Spitalin e Traumës, pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë, Amarildo Ndoj ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në reanimacion dhe pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Tre të plagosurit e tjerë, Daniel Gjeloshi, Liridon Ismailaj dhe Angjelina Ndoj, ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Universitar të Tiranës (SUT).

Dinamika e ngjarjes

Sipas Policisë, sherri nisi pas një fërkimi mes mjeteve, që më pas eskaloi në përdorim armësh. Ajo që trondit është fakti se të rinjtë mbanin armë, duke mos u shqetësuar aspak për praninë e ligjit.

Klevis Ndreca, një nga të përfshirët në konflikt, u dorëzua në polici dhe rrëfeu se ai kishte qëlluar i pari, pasi “i dija që ishin të armatosur”. Ndreca ndodhej në një nga makinat, ndërsa në mjetin tjetër ishin tre të rinjtë, prej të cilëve njëri nxori armën për t’u kundërpërgjigjur me zjarr.

Nga përplasja me armë është plagosur edhe një grua, Angjelina Ndoj, e cila ishte rastësisht në vendin e ngjarjes dhe kishte tentuar të ndërhynte për të ndalur sherrin, por pa sukses.

Pas arrestimit, Ndreca dorëzoi armën dhe dha dëshminë e tij për grupin hetimor, duke theksuar se kishte vepruar në frikë për jetën e tij. Një tjetër i ri nga pala tjetër është arrestuar, pasi policia e gjeti armën që kishte hedhur për të fshehur gjurmët.