Konfliktet e pazareve të drogës lanë të plagosur 15-vjeçarin, nëna e tij tregon dinamikën

Grupi hetimor ka mundur të zbardh plagosjen e 15-vjeçarit. Sipas nënës së këtij të fundit, shkak është bërë një debat mes dy vëllezërve binjakë.

Në dëshminë e saj ajo ka treguar se njëri prej vëllezërve ka qëlluar në drejtim të tjetrit dhe plumbat kanë kapur djalin e saj.

Sipas saj, konflikti mes të dyve ka nisur fillimisht për shitjen e lëndëve narkotike kokainë, debat që ka degraduar deri në nxjerrje arme. Dyshohet se binjakët janë përfshirë në shitjen e kokainës.

DINAMIKA 

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Fushë-Mëzez, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 15-vjeçar. Autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje është xhaxhai i tij, 29-vjeçari Nazmi Pëllumbi i cili është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti mes dy vëllezërve binjakë. Gjatë sherrit, Nazmi Pëllumbi ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të vëllait të tij, Florent Pëllumbit, por nga të shtënat është plagosur aksidentalisht nipi i tyre 15-vjeçar.

Policia ka arrestuar vëllanë binjak të autorit, Florentin, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Ndaj Nazmi Pëllumbit rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, “Plagosje e rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vijon kërkimet për kapjen e autorit.

I mituri, i cili mori një plagë në kraharor, vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.