Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në mesditë në rrugën “Ali Visha” në Tiranë, ku një konflikt për motive të dobëta mes tre personave ka përfunduar me plagosjen e dy vëllezërve.
Sipas Policisë, shtetasi Sh. H., 51 vjeç, pas një debati verbal me dy vëllezërit A. K., 51 vjeç dhe A. K., 57 vjeç, ka përdorur një mjet prerës duke i plagosur ata. Ngjarja dyshohet të jetë nxitur nga sharje dhe fyerje mes tyre, ndërsa raportohet se të përfshirët në konflikt ishin nën efektin e alkoolit.
Dy vëllezërit janë transportuar menjëherë në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar, i cili po mbahet në Komisariatin Nr. 1 për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur të gjitha rrethanat e konfliktit, ndërsa materialet i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime ligjore të mëtejshme.