Konfirmohet rasti i parë me virusin HMPV në Greqi: Pacienti shtrohet në spitalin e Selanikut
Në Greqi është regjistruar rasti i parë i konfirmuar i metapneumovirusit njerëzor (HMPV), i njohur si një virus që shkakton probleme të rrugëve të frymëmarrjes. Rasti është zbuluar në qytetin e Selanikut dhe bëhet fjalë për një 71-vjeçar që ndodhet i shtruar në spitalin “Papanikolaou”.
Sipas raportimeve të televizionit privat “Open”, pacienti dyshohet të jetë infektuar nga vajza e tij, e cila kishte udhëtuar në Kinë gjatë periudhës së festave të fundvitit. Pas kthimit, ajo nuk kishte shfaqur simptoma, por pak ditë më vonë babai i saj filloi të ndiente shenja të sëmundjes.
Pacienti fillimisht kërkoi ndihmë mjekësore në një klinikë private, por më 3 janar u shtrua në spital për trajtim të specializuar. Të shtunën, ai iu nënshtrua një testi PCR, rezultatet e të cilit konfirmuan të hënën praninë e virusit HMPV.
Metapneumovirusi është aktualisht në vëmendje ndërkombëtare, pasi në javët e fundit ka marrë përmasa pandemike në Kinë. Mjekët në Greqi kanë nisur të ndjekin me kujdes situatën dhe priten deklarata zyrtare për masat parandaluese.
Spitali “Papanikolaou”, i njohur për trajtimin e sëmundjeve pulmonare, ka marrë masa të shtuara për të mbrojtur pacientët e tjerë dhe stafin. Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në Greqi po ndjekin nga afër evolucionin e situatës për të parandaluar përhapjen e virusit.