Konferenca e Ambasadorëve/Rama: Teksa negociojmë anëtarësimin në BE, do integrohemi në tregun e përbashkët/Shqipëria hedh sytë nga bota, për krah pune

Gjatë konferencës “Tirana Diplo 2024”, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek pozicioni i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ai veçoi Italinë, Greqinë e Turqinë si shtete mike dhe partnerë strategjikë të vendit tonë.

“Duke qenë në këtë pjesë të Europës që ka një trashëgimi jo të lehtë lëmshi të marrëdhënieve, të historive e interesave, nuk është gjithmonë e lehtë. Kjo pasi ne jemi miq tradicionalë të Turqisë dhe Greqisë, e për ne janë dy miqësi shumë të rëndësishme, por ndërkohë është e shkruar e zeza mbi të bardhë qysh në krye të herës, që këto dy vende bashkë me Italinë janë partnerët tanë strategjikë. Ne jemi vend i vogël dhe vetëdija e përmasës është e rëndësishme për të ruajtur modestinë, por edhe për të kuptuar domosdoshmërinë jetike që ne duhet të rritemi dhe të fuqizohemi, si shtet dhe si komb.”

Më tej, Rama tha se për t’u fuqizuar si komb nevojitet respekt e besim reciprok me aleatët tanë.

“Të ruhemi nga humbja e sensit të përmasës sonë, që në të shkuarën ka çuar në situata të padëshirueshme të shoqëruara me daullet e nacionalizmit folklorik dhe i ka kushtuar pastaj Shqipërisë në marrëdhëniet e vetë ndërkombëtare. Të ruhemi nga kompleksi i inferioritetit pasi nuk kemi asnjë arsye. E për t’u rritur e fuqizuar dhe për të vazhduar të ushqejmë respekt, besim e të rrisim prestigjin tonë duhet të flasim me qartësi e respekt me aleatët dhe miqtë tanë dhe të pretendojmë të njëjtën gjë prej tyre. 2030 duhet të na gjejë në gatishmëri të plotë të ulur në tryezën e BE-së.“

Ai e vuri theksin te procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe te performanca e lartë në aspektin diplomatik vitet e fundit.

“Sot Shqipëria negocion anëtarësimin në BE pas një procesi të jashtëzakonshëm skanimi të sistemit të organizimit të vendit. Skuadra me repartet përgjegjëse për 33 kritere themelore, u vlerësuan me notat më pozitive nga partnerët tanë në Bruksel, ku vendi mori një vlerësim të qartë për gatishmërinë për t’iu përmbajtur legjislacionit dhe standardit evropian në të gjitha fushat dhe me një hartë të qartë hapash e veprimesh për ta përmbushur më në fund këtë ëndërr të vjetër kombëtare.”

Kryeministri foli edhe për një plan të rritjes ekonomike që na afron më shumë me BE-në.

“Një politike e re e BE-së vjen përmes një instrumenti të ri financiar për krejt rajonin tonë që shkon përtej sistemit të mbështetjes me fondet IPA dhe adreson në mënyrë specifike një nevojë të madhe për të përmirësuardhe për të rritur konvergjencën ekonomike me vendet e BE. Duke hapur rrrugën që ndërkohë që ne negociojmë anëtarësimin, të mund të integrohemi gradualisht në hapësirën ekonomike dhe tregun e përbashkët evropian. Është diçka e re, u krijohet si mundësi vendeve të rajonit tonë dhe që lidhet me rolin tonë proaktiv dhe një qasje të re këmbëngulëse nga ana jonë për të bërë më të mirën në funksion të interesave tona. Plani i ri i rritjes është tashmë në dorën tonë, jemi në proces sistemimi të të gjithë hapave dhe piketave për të rritur masën e integrimit pa pritur që të bëhemi anëtarë. Pa na e kërkuar askush, ne kemi nisur një proces të ri përmes një synimi ambicioz për të lançuar reforma të reja, siç kemi bërë me Komisionin  e Posaçëm për Mirëqeverisjen, Sundimin  e Ligjit dhe Antikorrupsionin.”