Koncesioni i sterilizimit, ish-ministri Beqaj paraqitet në SPAK! Ja çfarë do t’i komunikohet
TIRANË– Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, ku pritet t’i komunikohet akuza për shpërdorim detyre në dosjen e sterilizimit. Beqaj është zyrtarisht nën akuzë nga SPAK, ndërsa 8 të pandehurve të tjerë iu komunikua akuza të premten e 15 marsit.
Pas 10 ditësh në pritje të prapësimeve, SPAK do ta dorëzojë dosjen në GJKKO me kërkesën për nisjen e gjykimit. Beqaj i cili akuzohet për shpërdorim detyre do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat. Zv. ministri akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa biznesmeni për mashtrim.
Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike të cilët janë në arrest shtëpie, dhe mjeku Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini që deri më tani kanë pasur masën ‘detyrim me paraqitje’. Ndërkohë që një muaj më parë u vendos sekuestro edhe ndaj dy kompanive të Rrapajt dhe disa aksione të tij në një shoqëri tjetër tregtare.
Hetimet janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi të cilët kanë pritur deri në momentet e fundit për mbylljen e hetimeve, afati i të cilave përfundonte pikërisht më 15 mars. SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj. Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.
Ilir Beqaj ‘shpërdorim detyre”
Ilir Rrapaj ‘Mashtrim’
Klodjan Rjepaj ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Saimir Kadiu ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Marsela Serjana ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Arben Gjata ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Naile Ajazi ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Genc Byrazeri ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Petri Mersini ‘Falsifikim i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’