Kompanitë e sigurimeve mbajnë pezull dëmet, numri i rasteve të pashlyera u rrit në 2023

Numri i dëmeve pezull nga kompanitë e sigurimit shënoi rritje vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të vitit 2023 kompanitë e sigurimit të jo-jetës raportonin 10,621 dëme pezull, me një rritje prej 23.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.Dëmet pezull përfshijnë rastet në proces vlerësimi, dëmet e miratuara, por të papaguara, apo edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore. Normalisht, kompanitë e sigurimeve kanë gjithmonë një numër të caktuar dëmesh pezull në çdo kohë për shkak të kohës së nevojshme për trajtimin e tyre apo edhe për shkak të zhvendosjes së çështjeve në gjykata, në rastet kur klienti nuk është dakord me masën e dëmit të vlerësuar nga kompania e sigurimit.

Megjithatë, vitin e kaluar praktikat e dëmeve pezull janë rritur.Pjesërisht rritja e numrit të dëmeve pezull mund të shpjegohet me shtimin e dëmeve apo ngjarjeve të sigurimit të ndodhura në total. Vitin e kaluar, kompanitë e sigurimit të jo-jetës raportuan 58,686 dëme të paguara, në rritje me 5.35% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, nëse shohim raportin mes dëmeve pezull në raport me dëmet totale të raportuara (dëme të paguara plus dëme pezull), ky raport është rritur në 15.3%, nga 13.4% që kishte qenë një vit më parë.

Ligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” që u miratua në vitin 2021 parashikon që afati për trajtimin e dëmeve ndaj personave nga kompania e sigurimit do të jetë 90 ditë, ndërsa afati i dëmtimeve në pronë do të jetë 30 ditë. Megjithatë, për dëmet në vlerë të vogël, deri në 100 mijë lekë është përcaktuar një afat më i shkurtër, prej 14 ditësh.

Më tej, shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit.

Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar në këtë nen, palës së dëmtuar i lind e drejta e përfitimit të interesit të pagueshëm për çdo ditë vonesë në shlyerjen e dëmshpërblimit nga shoqëria e sigurimit.

Pavarësisht se ligji i ri është përpjekur të ulë afatet e trajtimit të çështjeve me vlerë të vogël, sërish numri i dëmeve pezull në sigurime dhe pjesa e tyre në raport me totalin paraqitet në rritje./ MONITOR

Check Also

Celibashi: Kohë e pamjaftueshme për votën e emigrantëve/ PD, kundër votimit elektronik

KQZ ka njoftuar partitë politike se koha që ka në dispozicion për të dërguar fletën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *