Komisioni për Sigurinë Kombëtare/Ministri Hoxha: Në gusht kishim rritje të vrasjeve, por rendi e siguria në vend në parametra shumë të mirë

Ka nisur mbledhja e Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Komisioni mban seancë dëgjimore e kërkuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha për të dhënë informacione dhe shpjegime lidhur me gjendjen e rendit në vend, ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura gjatë verës, numrin e ulët të arrestimeve të personave të kërkuar nga organet e drejtësisë dhe lëvizjet e fundit në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit.

Pjesë nga diskutimi:

Ferdinand Xhaferri: Në një seancë maratonë kaluam ligjin për Policinë e Shtetit. Në këtë seancë i kërkua ministrit të atëhershëm, zotit Balla dhe problemet e vitit të kaluar gjatë sezonit veror, të merreshin masa e të mos përsëriteshin më.
Krimi nuk ka frikë policinë, ekzekuton në Tiranë e Shkodër, sepse nuk e ka frikë ligjin.
Vetëm në gusht kemi 12 viktima.

Ervin Hoxha: Nuk jam i kënaqur me rezultatet e deritanishme të policisë, por policia është në lartësinë e detyrës dhe do të përmirësohet në ditët në vijim. Kam gjetur një polici të konsoliduar e profesionale.Kam 50 ditë në detyrë.Rendi e siguria në vend në parametra shumë të mirë dhe krahasimin e bëjmë me vende e BE. Shqipëria edhe këtë vit ka pasur rritje të numrit të turistëve. E vërtetë që në gusht kishim një rritje të vrasjeve në krahasim me muajt e tjetër, por në statistikat e 8 mujorit, jemi pothuajse në të njëjta parametra sigurie me vitin e kaluar. Sa i takon vitit 2024, janë regjistruar 28 vrasje, nga 35 që ka patur përgjatë vitit 2023.Arrestimi i personave të kërkuar nga organet e drejtësisëNjë nga çështjet e parashtruara nga ju është dhe numri i ulët i personave të arrestuar.Dua të saktësoj se, numri i personave të arrestuar, krahasuar me një vit më parë është më i lartë, si për ata të shpallur në kërkim kombëtar, dhe për ata në kërkim ndërkombëtar. Më konkretisht, për personat në kërkim kombëtar, gjatë periudhës Janar-Gusht 2024, janë kapur 209 persona më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose e thënë ndryshe 17% më shumë.