Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin, cilat pritet të jenë detyrat, opozita kundër
Është miratuar në Konferencën e Kryetarëve ngritja e komisionit të Posaçëm për Dezinformimin, që do të mbikëqyrë të gjitha veprimet institucionale në luftën kundër ndikimit të huaj për të dëmtuar demokracinë në vend.
Ngritja e komisionit u miratua vetëm më votat e socialistëve, ndërsa opozita e ka parë me dyshim këtë iniciativë të tyre, duke aluduar për ndërhyrje dhe kontroll ndaj medias dhe kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me propozimin e mazhorancës.
Çfarë parashikon veprimtaria e këtij komisioni?
Komisioni i Posaçëm nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, duhet të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një seri formash, duke përfshirë, fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale për formësimin e opinionit publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publikë dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.
Komisioni i Posaçëm duhet të kryejë një analizë të plotë të të gjithë faktorëve dhe fenomeneve për të vlerësuar nëse janë respektuar detyrimet ligjore në fuqi, në lidhje me transparencën në proceset demokratike, veçanërisht transparencën e financimeve në fushata zgjedhore, si dhe transparencën e financimit të të gjithë aktorëve dhe platformave që ofrojnë shërbime në sektorin e informimit publik apo veprimtari të tjera të ngjashme me to.
Bazuar në gjetjet e kësaj analize, Komisioni i Posaçëm duhet të identifikojë masat administrative dhe ndërhyrjet e mundshme nëpërmjet ndryshimit apo plotësimit të legjislacionit në fuqi për të adresuar zgjidhjen e problematikave të identifikuara, veçanërisht në drejtim të rritjes së përgjegjëshmërisë së platformave dhe mediave sociale për të klasifikuar përmbajtjet e lajmeve/informacioneve që shpërndahen nga robotët, duke rishikuar algoritmet me qëllim bërjen sa më transparente të faktorëve ku bazohen për të shfaqur, për t’i dhënë përparësi, shpërndarë, apo hequr përmbajten e lajmit/informacionit, si dhe pa cënuar lirinë e shprehjes, për të mbyllur llogaritë e personave/subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara joautentike në internet ose aktivitete të paligjshme që synojnë minimin sistematik të proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes.
Komisioni i Posaçëm duhet të organizojë seanca dëgjimore me përfaqësues të mediave tradicionale, sektorit të biznesit si dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të nxitur një debat të vazhdueshëm mbi rritjen e përgjegjësisë për të luftuar ndërhyrjen e huaj në të gjitha proceset demokratike, duke përfshirë dezinformimin, jo ekskluzivisht vetëm nga autoritetet publike, por edhe në bashkëpunim me bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë dhe mediave sociale dhe sektorin privat në përgjithësi, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rolin, detyrën dhe përgjegjësinë që këta subjekte kanë në përballjen e ndërhyrjeve të huaja, duke u kujdesur në të njëjtën kohë për të mos cënuar lirinë e shprehjes.
Komisioni i Posacëm, duhet të vlerësojë dhe masat ligjore për kufizime të forta në burimet e financimit, duke patur në konsideratë se aktorët e huaj kanë gjetur mënyra të ligjshme dhe të paligjshme për të anashkaluar detyrimet ligjore dhe kanë ofruar mbështetje të fshehtë për aleatët e tyre duke marrë hua në bankat e huaja, duke ofruar në natyrë sende me vlerë, përmes marrëveshjeve të blerjeve dhe atyre tregtare, përmes kompanive guaskë, përmes organizatave jofitimprurëse, përmes donatorëve të lëvizjeve qytetare, përmes teknologjive në zhvillim që ofrojnë anonimitet, përmes reklamave në internet, përmes mediave ekstremiste online dhe përmes lehtësimit të aktiviteteve financiare.
Komisioni i Posaçëm duhet të punojë gjithashtu me organizata të shoqërisë civile që monitorojnë në mënyrë aktive tendencat e dezinformimit dhe proceset e ngjashme dhe të marrë në konsideratë dhe analizë dhe raportet përkatëse të monitorimit.
Komisioni i Posaçëm duhet t’i paraqesë Kuvendit një raport vjetor të veprimtarisë me analizat, gjetjet dhe propozimet për masat administrative dhe ndërhyrjet në legjislacion, që duhet të përmbajë edhe masa konkrete për të kundërshtuar fushatat e informacionit dhe komunikimin strategjik të vendeve të treta keqdashëse, përfshirë ato që kryhen nëpërmjet aktorëve dhe organizatave vendase, që dëmtojnë qëllimet e Republikës së Shqipërisë dhe që janë krijuar për të ndikuar negativisht opinionin publik me qëllim për të minuar angazhimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.
Komisioni i Posaçëm të përbëhet nga 13 anëtarë që përfaqësojnë proporcionalisht të gjitha grupet parlamentare dhe drejtohet nga përfaqësuesi i shumicës parlamentare. Anëtarët e Komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit.
Afati i veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm është një vit nga dita e vendimit të Kuvendit për ngritjen e tij. Kuvendi mund të vendosë të shtyjë afatin e Komisionit sipas përcaktimeve në Rregulloren e Kuvendit.
Keu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi, tha se fokusi është koordinimi dhe mbikëqyrja e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri. Çuçi tha se opozita po sheh paranoja dhe se komisioni s’ka lidhje me zhvillimet e brendshme.
“Më vjen keq që kolegët e opozitës shohin me paranojë cdo iniciative te mazhorancës. Por nuk eshte ky rasti. Per shkak të zhvillimeve nëpër botë, vlerat e demokracisë perëndimore janë më të kërcënuara. Dezinformimi është një nga instrumentat që po përdoret gjerësisht për të cënuar vlerat demokratike. Këtë nuk e themi ne, por e thotë gjithë bota perëndimore. PE pati një rezolutë dhe një komision të posacëm për këtë punë. Ky nuk është një mekanizëm për qëllimet tona të brendshme politike, prandaj këtu duhet të jemi bashkë. Ngritja e këtij komisioni është e domosdoshme. Do të bëjë një analizë të plotë të situatës. Mendoj se nese ky Parlament do të ketë një komision ku ne duhet të jemi në sinkron, është ky komision ku duhet të japim një analizë të detajuar se në cilin nivel ka shkuar ndërhyrja e këtyre vendeve. S’mund të jemi ne imunë kur nuk është SHBA apo vendet e BE. Eshte ne nderin tonë ta adresojmë sa më parë. Jam i bindur se ju do i bashkoheni këtij komisioni”, deklaroi Çuçi.
Gazment Bardhi ka kërkuar shtyrjen e kërkesës së PS-së për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin.
‘Kjo çështje është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni iniciativën, të na informoni ne dhe gjithë publiku mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet.
Flisni për marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshje me SHBA, dhe ne nuk dimë asgjë për atë marrëveshje pasi nuk na e keni vënë në dispozicion, edhe pse Kushtetuta e detyron qeverinë të na vendos në dijeni. Këto çështje që pretendohen të trajtohen në ketë komision të posaçëm mund të trajtohen fare mire ne komisionet respektive, Komisionin e Medias apo Komisionin e Sigurisë. Pse nuk mund të trajtohen aty? Do duhet të hiqet çdo dileme për ndërhyrje në lirinë e medias. Nëse nuk është ky qëllimi i fshehur, duhet të marrin kohën e nevojshme dhe mos e trajtojmë si një temë për konsum ditor.
Ka një Rezolutë të Kuvendit në 2019, e miratuat dhe e harruat. E trajtuat si temë dite dhe aq. Aty përcaktohet detyrimi që institucionet e sigurisë të sjellin raport në Kuvend, gjë që nuk e kanë bërë. Duhet të konsuktohemi me shoqatat e medias, që qartësohet objekti dhe motivet, çfarë do të trajtojë dhe pse duhet.’- tha Bardhi.