Komisioni i Medias/ Konsensus i rrallë PS-PD kundër shkeljeve në garën për drejtorin e RTSH: Këshilli Drejtues duhet të ndalë procedurën
Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Medias, u arrit një konsensus i rrallë mes deputetëve të Partisë Socialiste (PS) dhe Partisë Demokratike (PD) kundër shkeljeve të dyshuara në procesin e zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së. Komisioni kërkoi me forcë që Këshilli Drejtues i RTSH-së të ndërpresë menjëherë procedurat e garës, për shkak të dyshimeve të forta për shkelje të rregullave dhe procedurave ligjore.
Kryetarja e Komisionit të Medias, Ina Zhupa, e cilësoi si të papranueshme dhe të paligjshme veprimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues, të cilët, sipas saj, po krijonin votime për kriteret dhe po shpikin procedura jashtë ligjit. Ajo theksoi se, sipas ligjit, kriteret duhet të jenë të qarta dhe të padiskutueshme, dhe nuk mund të krijohen votime mbi to. Zhupa ngriti shqetësimin se nga dhjetë kandidatë për drejtor, pesë prej tyre plotësonin kriteret, ndërsa pesë të tjerë jo, dhe se Këshilli Drejtues po përpiqej të shfuqizonte ato që plotësonin kriteret përmes një procesi të dyshimtë.
“Ne si Komision kemi përgjegjësi për të siguruar që ligji të zbatohet dhe se RTSH, si pasuri publike, nuk mund të trajtohet si pronë private nga anëtarët e Këshillit Drejtues,” tha Zhupa. Ajo kërkoi që një shkresë zyrtare të dërgohet menjëherë për të ndaluar procesin dhe për të kërkuar llogaridhënie nga anëtarët e Këshillit Drejtues për veprimet e tyre.
Edhe deputetja e PS-së, Evis Kushi, shprehu shqetësimin e saj për shkeljet ligjore në procesin e zgjedhjes së drejtorit të RTSH-së. Ajo u shpreh se duhet të sigurohet një proces i hapur, transparent dhe meritokratik, dhe kërkoi që Këshilli Drejtues të përmbushë detyrat e tij ligjore. Kushi e vuri theksin te përgjegjësia që ka ky Këshill për të siguruar një proces të drejtë dhe të ligjshëm.
“Këshilli Drejtues duhet të ngrihet në nivelin që i takon. Gara duhet të jetë e hapur, transparente dhe meritokratike. Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo hap për ta kthyer këtë proces në normalitet,” tha Kushi, duke theksuar se procesi duhet të ndjekë rregullat e ligjit dhe statutit.
Në këtë mbledhje, Zhupa theksoi gjithashtu se opozita është e gatshme të kërkojë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së dhe të kërkojë emërimin e të tjerëve nëse procesi vazhdon të shkelë ligjin. Ajo e cilësoi situatën si një rast kur anëtarët e Këshillit Drejtues po silleshin si pronarë të RTSH-së dhe po pengonin një proces të drejtë dhe të hapur.
PS dhe PD, për herë të parë në këtë çështje, u bashkuan për të kërkuar që procedurat të ndërpriten menjëherë, dhe të kërkohet llogaridhënie nga anëtarët e Këshillit Drejtues për shkeljet e mundshme të ligjit. Po ashtu, të dyja partitë nënvizuan se nuk do të lejojnë që RTSH, një institucion publik, të keqpërdoret nga ata që janë përgjegjës për drejtimin e tij.
Komisioni i Medias pritet të dërgojë një shkresë formale për të kërkuar ndalimin e menjëhershëm të procedurave dhe zhvillimin e një procesi të hapur, të drejtë dhe ligjor për zgjedhjen e drejtorit të RTSH-së.