Komisioni Europian vlerëson rezultatet e SPAK, reagon Prokuroria e Posaçme

Komisioni Europian ka përshëndetur rezultatet e vazhdueshme të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjatë takimit të 16-të të Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, të zhvilluar më 11 dhe 12 shkurt 2025.

Në reagimin e saj, SPAK ka publikuar një pjesë të mesazhit të Komisionit Europian, ku vlerësohet puna dhe pavarësia e institucionit në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjeve komplekse të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Roli i SPAK dhe pavarësia e tij ka qenë guri i themelit i reformës në drejtësi të vitit 2016. SPAK-u ka kontribuuar në përpjekjet e Shqipërisë për të ndërtuar një historik të besueshëm rezultatesh kundër krimit të rëndë, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë raste në nivele të larta, thuhet në deklaratën e Komisionit Europian.

BE e cilëson SPAK-un një element kyç në konsolidimin e reformës në drejtësi dhe një faktor të rëndësishëm në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Reforma në drejtësi dhe rezultatet e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten një prioritet për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian.