Komisioni Europian dhe BSH: Rritja ekonomike do të vijojë ndërsa shqetësim është …
Ekonomia shqiptare do të vazhdojë rritjen deri në vitin 2026, kështu parashikon Komisioni Europian dhe njëkohësisht edhe Banka e Shqipërisë.
“Përditësimi i parashikimeve konfirmon pritjet tona të mëparshme për 2-3 vitet e ardhshme, presim rritja ekonomike të jetë në nivelin 3,5-4% dhe ky zhvillim i ekuilibruar midis kërkesës dhe ofertës do të mundësojë që inflacioni të kthehet në objektivin tonë 3%”, tha Erald Themeli, drejtor në departamentin e politikës monetare, BSH.
Si Komisioni Evropian, ashtu edhe Banka Qendrore vlerësojnë se Shqipëria është e ekspozuar ndaj luftës së tarifave, çka rrit pasiguritë dhe mes të tjerash, mund të ndikojë në fluksin e investimeve të huaja direkte në vendin tonë.
“Konteksti global shfaq pasiguri të larta prej tensioneve gjeopolitike dhe luftës tregtare. Do të ishte një goditje negative për ekonominë shqiptare. Nëse ato do të materializohen, do të reflektohen në qëndrimin e politikës monetare”, tha Themeli.
Ndërsa shqetësim për Komisionin Evropian është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar në Shqipëri, e cila, siç theksohet në raport, është e rënduar nga emigracioni dhe përbën kosto për bizneset.