Komisionerja Kos: Shqipëria e meriton të jetë pjesë e BE, duhet mbështetje e shteteve anëtare për përfundimin e procesit deri në 2027

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, duke e quajtur këtë proces të sigurt dhe të vërtetë. Gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe ekipin e tij, Kos theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm, ndërsa përmendi se qëllimi është përmbyllja e negociatave deri në vitin 2027.

“Vendi juaj ka ecur shumë mirë në rrugëtimin drejt BE. Rrugëtimi juaj drejt BE është i sigurt dhe i vërtetë. Më pëlqen që takohem me ju, me ekipin tuaj dhe e shoh që jeni me kaq pasion për vendin tuaj dhe BE-në,” tha Komisionerja Kos, duke vlerësuar angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur ambiciet europiane.

Kos nënvizoi se Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm, duke hapur dhe negociuar kapituj të rëndësishëm. Ajo gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që Shqipëria të përmbyllë këto negociata dhe të implementojë reformat për t’u bërë anëtare e BE-së.

Komisionerja gjithashtu vuri në dukje se, për t’iu ofruar Shqipërisë mbështetje të vazhdueshme dhe financime për reformat e nevojshme, është e rëndësishme që të sigurohet edhe mbështetja e shteteve anëtare të BE-së. Ajo bëri të ditur se shumë shpejt do të realizohet një sondazh për të vlerësuar progresin e zgjerimit, dhe do të ndërtohet një fushatë për të rritur mbështetje për Shqipërinë në BE.

Kos përmendi gjithashtu suksesin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, si dhe organizimin e ngjarjeve të rëndësishme, si samiti i Ballkanit dhe kampionati europian i futbollit për 21-vjeçarët. Ajo e vlerësoi Shqipërinë për mikpritjen dhe angazhimin e saj për të avancuar në integrimin rajonal dhe në BE.

“Europa nuk do të jetë më e madhe, por më e fortë me Shqipërinë brenda saj,” përfundoi Kos, duke shpresuar që Shqipëria do të vazhdojë të ecë me ritme të shpejta drejt anëtarësimit.