Komisionerja Kos në Elbasan për Ditën e Verës: Veroret sjellin fat, vura një për Shqipërinë dhe një për BE-në!

Komisionerja Marta Kos në Elbasan për Ditën e Verës: “Shqipëria mund të anëtarësohet në BE në 2027”

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ndodhet në Elbasan për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Verës, ku ka shprehur vlerësimin e saj për përpjekjet e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në një prononcim për mediat, Kos e cilësoi vizitën si një moment të veçantë, veçanërisht pasi pati mundësinë të shohë nga afër projektet që financohen nga BE për grupet më të cenueshme të shoqërisë.

“Ka qenë një kënaqësi e veçantë për mua, jo vetëm që kam ardhur në Ditën e Verës, por edhe për mundësinë që pata të vizitoj projekte kaq të rëndësishme që financohen nga Bashkimi Europian,” tha Kos.

Duke folur për integrimin evropian, ajo theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të konsiderueshme, por ka ende punë për të bërë. Megjithatë, Kos shprehu optimizëm, duke sugjeruar se Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2027, nëse ritmi i reformave vazhdon me të njëjtën intensitet.

“Nëse kjo ecuri vazhdon, Shqipëria mund të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2027. BE është shtëpia juaj, tani duhet të bëni detyrat, por shpresoj që së shpejti BE të mos ketë 27 vende anëtare, por 28,” deklaroi ajo.

Në kuadër të vizitës së saj, Kos vizitoi një punishte sociale që mbështet gratë me problematika sociale dhe një qendër për gratë e dhunuara, të cilat financohen nga BE.

“Në Elbasan takova gra të guximshme që po rindërtojnë jetën e tyre me mbështetje nga BE-ja. Në një punishte tapicerie, ato fitojnë aftësi dhe liri financiare. Fola me mbijetuese të dhunës në familje që po kurojnë të kaluarën e tyre me ndihmën e BE-së. Ne qëndrojmë pranë tyre për komunitete më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse,” shkroi Kos në një postim në rrjetet sociale.

Në përmbyllje, Kos vendosi dy verore, një për Shqipërinë dhe një për BE-në, duke e cilësuar si një simbol të fatit të përbashkët për një të ardhme të suksesshme.