Komandantja Supreme viziton fabrikën e armëve në Kroaci – teston pushkën automatike të llojit VHS-2-S

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj në Kroaci ka vizituar fabrikën e armëve “HS Produkt LTD” e cila gjendet në qytetin Karlovac.

Kjo kompani kroate e prodhimit të armëve të zjarrit është e njohur për projektimin dhe prodhimin e pistoletave gjysmë automatike.

Osmani është njoftuar nga afër për punën që bëhet në këtë fabrikë, derisa ka testuar edhe disa prej armëve.

Në një fotografi që ka publikuar presidentja Osmani në Facebook, shihet teksa merr shënjestër me pushkën gjysmë-automatike të llojit VHS-2-S.

Ndryshe, Osmani po qëndron që nga dje në një vizitë zyrtare në Kroaci. Dje, ajo është pritur në takime nga Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, kryeministri Andrej Plenkoviq dhe kryetari i Parlamentit, Gordan Jandrokoviq./Telegrafi/