Kokaina në lëkurat e kafshëve, zbulohet laboratori në Greqi – Kreu shqiptar në Spanjë, në pranga 3 bashkëpunëtorët nga Vlora dhe Dimal

Një laborator i sofistikuar për përpunimin e kokainës është zbuluar nga policia greke në Pikermi të Athinës, ku ndër të arrestuarit rezultojnë katër shtetas shqiptarë. Të dyshuarit kishin ngritur një skemë të veçantë trafiku droge, duke futur kokainën në Greqi të kamufluar në lëkurat e kafshëve.

Operacioni u zhvillua të enjten në mëngjes nga forcat speciale greke (EKAM), duke çuar në zbulimin e një depoje të marrë me qira nga karteli dhe një banese ku banonin disa prej të dyshuarve. Gjatë kontrollit, policia zbuloi një laborator ku kokaina nxirrej nga lëkurat e kripura të lopëve të ardhura nga Bolivia.

Sipas të dhënave, grupi kishte importuar në mënyrë të ligjshme paleta me 1.700 lëkura të thata përmes një kompanie të krijuar enkas për këtë qëllim. Këto paleta u depozituan në çerdhen e vjetër të kthyer në laborator dhe u përpunuan me rreth 300 kg tretës kimikë. Nga 200 lëkura janë nxjerrë rreth 100 kg kokainë, ndërsa nga pjesa e mbetur pritej të prodhoheshin edhe 700 kg të tjera.

Sipas zëdhënëses së Policisë së Shtetit Helen, Constantia Dimoglidou, “ky proces kërkon njohuri të avancuara kimike dhe tregon një nivel të lartë organizimi dhe ekspertize brenda grupit”.

Si “truri” i operacionit konsiderohet shqiptari 45-vjeçar Luis Murataj, i njohur me nofkën “Karteri”, i cili aktualisht ndodhet në Spanjë dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia arrestoi gjithsej 11 persona: 6 grekë, 3 shqiptarë, 1 kolumbian dhe 1 bolivian. Shqiptarët e arrestuar janë identifikuar si:

-Robert Muci, 41 vjeç, nga Shushica e Vlorës

-Skënder Kallashi, 50 vjeç, nga Novosela e Vlorës

-Ledvis Hoxha, 27 vjeç, nga Kutallia e Dimalit