“Koha juaj ka mbaruar”/ Tensione në Kuvend, Spiropali i mbyll mikrofonin Sali Berishës! Mbyllet vetëm pas 15 minutash seanca plenare
Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua me përplasje dhe tensione të forta mes maxhorancës dhe opozitës, sapo nisi fjala e parë nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Berisha ishte folësi i parë në rendin e ditës, dhe mori fjalën për të adresuar disa çështje që lidhen me situatën politike në vend. Por, sapo përfundoi minutazhi prej 5 minutash i caktuar për fjalën e tij, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, i ndërpreu fjalën duke i mbyllur mikrofonin.
“Koha mbaroi,” iu drejtua ajo Berishës.
Ndërsa Berisha reagoi i revoltuar: “Cila kohë?”, Spiropali i ktheu: “Koha juaj ka mbaruar, ka perënduar!”
Pas këtij momenti, situata u përshkallëzua, pasi kryedemokrati bllokoi foltoren duke folur pa mikrofon dhe duke refuzuar të ulej në vendin e tij.
Pjesë nga debati:
Spiropali: Do ju heq të drejtën e fjalës
Spiropali: Ju tërheq vëmendjen dhe ju jap vëretje. Mos iu drejtoni me gisht anëtarëve të Këshillit të ministrave.
Berisha: Edhe ti erdhe si spiropali dhe përfundove si Spriogjoka.
Spiropali: Ti s’mund të vish këtu pas humbjes tënde dëshpëruese dhe turpëruese dhe të tentosh të prishësh Kuvendin. Ta dhashë fjalën me mirëbesim për të folur për rendin e ditës. E mbylle për sot sic e ke mbyllur gjithmonë.