Kodi “Sky” i Altin Morinës/ Biseda me Kilin për drogë: Minimumi 150kg…

Ish efektivi i forcave RENEA, Altin Morina, i vënë nën hetim për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dyshohet që merren me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Ai dyshohet se ka bashkëpunuar ngushtë me shtetasin Ekil Nderjaku, duke përdorur aplikacionin e koduar të komunikimit SKY ECC, për të organizuar ngarkesa droge nga Spanja drejt Italisë dhe Gjermanisë.

Në dosjen penale të siguruar nga Replikë, bisedat e përgjuara mes përdoruesve të SKY PIN 1UN9CQ (Altin Morina) dhe 5PNNS9 (Ekil Nderjaku) tregojnë se të dy kanë qenë pjesë e një rrjeti që dërgonte sasi të mëdha të kanabisit dhe hashashit – të cilat në komunikime përmenden me termat “bar” dhe “çokolatë”.

Në një nga bisedat, Nderjaku pyet:
“Ka kamjona nga Spanja? Se kemi ngecur me transportin…”, ndërsa Morina i përgjigjet:
“Sa kg janë dhe sa është çmimi për kg, thotë ai i rrugës?”

Të dy diskutojnë gjithashtu për përdorimin e kontakteve në Gjermani për të siguruar transportin e ngarkesave nga qytete si Hamburg dhe Frankfurt. Sasia e drogës e përmendur arrinte në minimum 150 kilogramë për çdo dërgesë, me çmime që varionin nga 50 euro për kilogram çokolatë, deri në 250 euro për kilogram bar.

Hetuesit dyshojnë se Altin Morina ka përdorur pozitën e tij si punonjës i policisë për të mbështetur logjistikën e grupit kriminal dhe për të shmangur zbulimin nga autoritetet.

Hetimet po vazhdojnë dhe priten zhvillime të tjera në zbardhjen e plotë të rrjetit.