KLSH: Qeveria bën tendera pa fonde, 370 mln euro për investimet do të paguhen pas vitit 2024

38 miliardë lekë ose 370 milionë euro janë detyrimet e shtetit ndaj kontratave të investimeve që duhen paguar pas vitit 2024. Sipas KLSH, zhvillimi i tenderave për investime publike pa marrë paraprakisht miratimin e Ministrisë së Financave po shndërrohet në veprimtari të errët, që rrit shanset për shpërdorimin e taksave të shqiptarëve, humbjen e efektivitetit të tyre dhe rritjen e barrës së detyrimeve të buxhetit në avancë.

Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Financave që kishte në themel procedurat për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e buxhetit të shtetit gjeti se janë se paku 38 miliardë lekë (370 milionë euro) detyrime ndaj kontratave të investimeve që duhen paguar pas vitit 2024. Për disa projekte punimet kanë mbaruar, por financimet duket se do të bëhen deri në fund të dekadës në vijim.
Për shembull rruga Kardhiq -Delvinë me kosto totale 14,2 miliardë lekë, do të përfundojë totalisht vitin që vjen, por 3,1 miliardë lekë, ose 22 për qind e kostos do të jepet pas vitit 2024.