Klosi takim me strukturat në Shkodër: Djegia e karrigeve, akt vandalizmi, për qeveri teknike nuk ka asnjë shans që të hapet si diskutim

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi i ka quajtur vandalizma aktet e deputetëve të opozitës të cilët dogjën karriget e Parlamentit dhe krijuan një situatë të tensionuar. Pas një mbledhje me Asamblenë e Zgjeruar të PS nw qarkun e Shkodrws, Klosi u shpreh se kërkesa e opozitës për Qeveri Teknike nuk ka asnjë shans që të hapet si diskutim.

Klosi: Ajo që ndodhi në Parlamentin e Shqipërisë nga opozita nuk është politikë, nuk është politikë e acaruar, ajo është një vepër penale në opinionin e të gjithëve besoj. Është dëmtimi i pronës shtetërore me vetëdije, natyrisht edhe rrezikim i jetës jo vetëm të Kryetares së Parlamentit që u godit në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme me mjetet të rënda por edhe ajo që rrezikimi i djegies së gjithë Parlamentit shqiptar, pra vënia e zjarrit të një prone aq të rëndësishme, jo vetëm prone shtetërore por edhe simbolike siç është Parlamenti i Shqipërisë. Veprimi i opozitës nuk besoj se hyn në politikë, hyn në vandalizëm, prandaj përgjigja do jetë si për vandalët. Mesazhi i vetëm që vjen nga PD është kërkesa e tyre për një qeveri teknike, pra kërkesa e tyre që të iki Edi Rama sepse me Edi Ramën ata nuk fitojnë dot dhe kjo nuk është më problemi i PS duhet që të jetë problemi i tyre që nuk arrijnë të gjejnë dot asnjë mundësi për t’u përballur me Edi Ramën dhe PS dhe në këto kushte ne kemi vetëm një përgjigje, forcimin e PS dhe organizimin e saj në gjithë territorin dhe kërkesën që jo vetëm të fitojmë 2025 por ta fitojmë bindshëm dhe natyrisht të tregojmë forcën që kemi në terrenin elektoral edhe përgjigjen që do ta japin qytetarët për mënyrën se si kemi transformuar Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.
Ai foli edhe për votën e emigrantëve në zgjedhjet e 2025 duke thënë se PS ka ndezur që tani motorët e fushatës elektorale brenda strukturave të veta për të qenë gati për këtë sfidë të re që do të jetë me shumë të panjohura. “Vota e emigrantëve ishte një premtim i PS tashmë që do të realizohet dhe për këtë duhet shumë punë nga gjitha strukturat në mbarë vendin për të siguruar një tjetër fitore të thellë të PS në zgjedhjet e 2025, si forca politike që transformon dhe zhvillon Shqipërinë”, thotë Klosi.