Kishin mbetur të bllokuar në Malin e Tomorit, Policia shpëton një familjen me 5 anëtarë

Një familje nga Berati, e përbërë nga 5 anëtarë, mes tyre 2 fëmijë, mbeti e bllokuar në rrugën që të çon për në malin e Tomorit për shkak të dëborës së dendur dhe dëmtimeve në automjetin e tyre.

Shërbimet e Policisë Rrugore, gjatë patrullimit në aksin Poliçan-Mali i Tomorit, konstatuan automjetin e bllokuar në zonën e njohur si “Gjurma”. Ata ndërhynë menjëherë dhe i transportuan familjarët në banesën e tyre me mjetin e Policisë, duke shmangur një situatë të rrezikshme.

Policia bën thirrje për të gjithë drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt malit të Tomorit, të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë, të moderojnë shpejtësinë dhe të ndjekin udhëzimet e policisë për të shmangur bllokimin në rrugë.

Ndërkohë, borëpastrueset po punojnë për të pastruar dhe siguruar qarkullimin në këtë aks të vështirë. Policia e Beratit mbetet në gatishmëri dhe u kërkon qytetarëve të raportojnë çdo emergjencë në numrin pa pagesë 112.