Kishin kthyer ambientin për lojëra fati, arrestohen katër persona në Korçë (EMRAT)
Katër persona janë arrestuar nga policia e Korçës në operacionin e koduar “Zaret” për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.
Andi Qiraxhi, Zamir Latka, Emiljan Mollaj dhe Erion Mersin u ndaluan nga uniformat blu, pasi kishin përshtatur një ambient për zhvillimin e tyre.
Policia sekuestroi shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, 5 celularë, tavolina e lojës dhe zaret.
NJOFTIMI I POLICISE:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Zaret”, për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.
U kapën në flagrancë në një lokal, duke luajtur lojëra fati, arrestohen 4 shtetas. Procedohet penalisht pronari i lokalit, pasi kishte përshtatur ambientet e këtij subjekti, për lojëra fati. Sekuestrohen shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, 5 celularë, tavolina e lojës dhe zaret.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacionin policor të koduar “Zaret”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. Q., 31 vjeç, Z. L., 52 vjeç, E. M., 38 vjeç dhe E. M., 41 vjeç. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 58 vjeç. Gjatë operacionit, 4 shtetasit e arrestuar u kapën në flagrancë duke luajtur, me zare, në lokalin në pronësi të shtetasit A. D., në lagjen nr. 8 Korçë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.