“Kisha pirë tri gota verë” – 22-vjeçarja greke që shkaktoi vdekjen e shqiptarit: Dëgjova vetëm një bum…

Është zbardhur dëshmia e 22-vjeçares greke Ekaterina Caci, e cila u bë shkak për aksidentin tragjik në Tebë të Athinës, ku humbi jetën taksisti shqiptar, 47-vjeçari Gentian Kamberi. E reja, e cila u vendos në arrest shtëpie me vëzhgim elektronik, pranoi se kishte konsumuar tri gota verë, por mohoi të kishte qenë në gjendje të dehur, pavarësisht analizave të gjakut që treguan një nivel alkooli trefish mbi kufirin e lejuar.

Në dëshminë e saj, Caci u shpreh e shokuar nga ngjarja dhe kërkoi falje për aksidentin, duke thënë se nuk e kishte të qartë se si ndodhi përplasja fatale.

“Piva tri gota verë, mbaj mend vetëm vendin e përplasjes. Nuk di asgjë se si ndodhi aksidenti. Gjithçka që mbaj mend është një ‘bum’. Po lëvizja në korsinë e majtë drejt Ilionit, kur papritur një makinë doli nga e djathta. Pashë dritat e saj dhe u tremba, kështu që ngadalësova. Më pas ndodhi përplasja,” tha ajo në dëshminë e saj.

Pavarësisht pretendimeve të saj, testet e gjakut treguan një përqindje prej 1.29 g/l alkool, ndërkohë që kufiri ligjor është 0.50 g/l, duke konfirmuar se ajo kishte konsumuar alkool në një sasi të konsiderueshme.

E reja shtoi se nuk e kishte të qartë nëse semafori ishte i kuq apo i gjelbër në momentin e aksidentit. “Për sa i përket skenës së përplasjes, nuk e kam idenë nëse semafori ndryshoi në sekondat që pasuan,” tha ajo.

Pas aksidentit, Caci u shpreh se ishte në gjendje të mirë kur doli nga lokali ku kishte qenë me miqtë, por pranoi se nuk kishte ngrënë para se të ngiste makinën. “Kur dola nga lokali, isha mirë, ndihesha në rregull, por nuk kisha ngrënë. Kërkoj falje dhe dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes së viktimës. Jam thellësisht e shkatërruar,” tha ajo.

Gentian Kamberi, 47 vjeç, ishte një shqiptar nga Tirana që kishte ndërtuar jetën e tij në Greqi. Ai punonte si taksist së bashku me bashkëshorten e tij, duke ndarë ndërrimet ditë e natë, në mënyrë që vajza e tyre 12-vjeçare të mos i mungonte asgjë.

Një nga miqtë e tij të ngushtë tha për Protothema.gr: “Ishte një njeri i ndershëm, një punëtor i palodhur që krijoi jetën e tij në Greqi. Nuk kam fjalë për atë që i ndodhi Janit dhe familjes së tij. Është tragjike. Vajza e tij do të rritet pa baba dhe e shoqja, një grua shumë e denjë, duhet të mbajë barrën e familjes. Ai punonte natën, ndërsa gruaja e tij ditën. Nuk mund ta besoj se u largua kaq padrejtësisht,” shtoi ai.