Kisha në zi, ndërron jetë Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri
Kisha ortodokse në zi, pas ndarjes nga jeta në moshën 85-vjeçare të Mitropolitit të Gjirokastrës, Dhimitri.
Mitropolitani ishte shtruar në Spitalin Universitar të Janinës me një infeksion respirator dhe endokardit.
NJOFTIMI I PLOTE:
Me hidhërim të thellë dhe trishtim, por edhe me shpresën e Ngjalljes, njoftojmë ndarjen nga jeta të Mitropolitit të Gjirokastrës Hirësisë së Tij z. Dhimitër, i cili fjeti më Zotin sot ditën e Shtunë datë 28 Qershor 2025.
Hirësia e Tij z. Dhimitër shërbeu me vetmohim, dashuri dhe përkushtim ndaj grigjës së Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e Kishës dhe të besimtarëve.
Hirësi Dhimitri lindi në Serres, Greqi, më shtator të vitit 1940. Studioi dhe u diplomua në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut. Ishte pjesë e vëllazërisë murgërore të Manastirit të Shën Ekaterinës në Malin Sina (Egjipt), ku ishte qethur murg në vitin 1974. Veç të tjerash, në Manastir kishte lëvruar lëmin e paleografisë dhe sistemimit të dorëshkrimeve të vjetra, për të cilat njihet manastiri.
Në përpjekjen hierapostolike që nisi me ardhjen e Kryepiskopin Anastas në Kishën tonë, u përfshi që në hapat e parë (gusht 1991). Ai kryente detyrë e Protosingjelit në Mitropolinë e Gjirokastrës, që nga vjeshta e vitit 1994.
Hirësia e Tij u zgjodh si Mitropolit i Gjirokastrës nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, më 11 nëntor 2006, pas Asamblesë Përgjithshme Kleriko-Laike, që miratoi Statutin e Kishës.
Mitropoliti Dhimitër u hirotonis episkop në datën 16 nëntor 2006, në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, ndërsa shërbesa e Fronëzimit në Gjirokastër u krye më 26 nëntor 2006, në Kishën e Hirshme të Kryeëngjëjve.
I përjetshëm kujtimi i Tij!