Kirurgu personal rrëfen momentet e fundit të Papa Françeskut: E gjeta me sytë e hapur, por në koma

Profesor Sergio Alfieri, kirurgu personal i Papa Françeskut dhe drejtori i kirurgjisë onkologjike në spitalin “Gemelli” të Romës, ka zbuluar detaje të panjohura për ditët e fundit të jetës së Papës, dëshirat e tij të fundit dhe lidhjen e veçantë mes tyre.

Në një intervistë për gazetën Corriere della Sera, Alfieri tha se Papa e kishte ngarkuar me një mision të veçantë pak muaj para vdekjes: të kujdesej për “embrionet e braktisura”. “Për në janar, Papa më tha se duhej të kujdeseshim për embrionet e braktisura. Ishte i vendosur. Tha: ‘Po flasim për jetë. Nuk mund të lejojmë që ato të përdoren për eksperimente apo të humbasin. Do të ishte vrasje’”, rrëfen mjeku. Ata kishin nisur diskutimet me Ministrinë italiane të Shëndetësisë për të realizuar një proces adoptimi të embrioneve, por koha nuk mjaftoi që kjo dëshirë të realizohej.

Alfieri kujton se e takoi Papën për herë të fundit në Shabatin e Madh, vetëm disa orë para vdekjes: “Ishte mirë, më tha edhe vetë. I solla tartën e tij të preferuar dhe biseduam. Kishte rekomandime për 60 ditë pushim, por Papa kishte vendosur të kthehej në punë. Donte të përfundonte gjithçka që kishte në mendje, si të kishte kuptuar se fundi po afronte”.

Dhjetë ditë para vdekjes, Papa kishte kërkuar të takonte të gjithë ata që e kishin kujdesur në spitalin “Gemelli”. “I thashë ta bëjmë pas Pashkëve. Ai u përgjigj: ‘Të mërkurën’. Kisha ndjesinë e qartë se donte të mbyllte një sërë gjërash para se të vdiste”.

Në mëngjesin e Ditës së Pashkëve, gjendja shëndetësore e Papës u përkeqësua ndjeshëm. Alfieri u thirr menjëherë në rezidencën “Santa Marta”: “E gjeta me sytë e hapur, por në koma, pa reagim ndaj stimujve. Nuk kishte asgjë që mund të bëhej. Ishte në fund”. Transportimi në spital u konsiderua i panevojshëm, pasi Papa kishte shprehur gjithmonë dëshirën për të ndërruar jetë në shtëpi. Dhe kështu ndodhi. Ai ndërroi jetë disa minuta më vonë, ndërsa stafi mjekësor dhe shoqëruesit qëndronin pranë tij dhe kardinali Parolin udhëhoqi një lutje të përbashkët.

Marrëdhënia mes Alfierit dhe Papës nisi në vitin 2018. Në vitin 2021, Papa e zgjodhi Alfierin për të kryer një operacion delikat për shkak të problemeve me divertikulin. “Kisha përvojën më të madhe në Itali për operacione të tilla. Ai më tha: ‘Kam vendosur të operohem dhe zgjodha ty’”. Operacioni u mbajt sekret dhe pak para ndërhyrjes, Papa bekoi dorën e kirurgut, duke i thënë: “Përdor duar të tuaja me zemër”.

Në vitet në vijim, Papa i kërkoi ndihmë Alfierit edhe për të shpëtuar spitalin katolik “Fatebenefratelli”, që po përballej me shitjen. Me ndërhyrjen e tij, u siguruan fondet e nevojshme në bashkëpunim me kardinalin Çupi dhe biznesmenin Del Vecchio. Më vonë, ai u rikthye në spitalin “Gemelli” për një operacion të dytë, si pjesë e një mesazhi publik për rëndësinë e shëndetësisë publike dhe institucioneve katolike mjekësore.

Alfieri, megjithëse është onkolog, ka marrë përsipër të çojë përpara misionin që Papa i la: mbrojtjen e embrioneve. Ai thotë se do të bashkëpunojë me ministrin e Shëndetësisë Horacio Skilaci dhe nëse është e mundur, edhe me Vatikanin. “Ishte dëshira e Papës. Do ta bëjmë, nëse mundemi”.